Rëndësia e përdorimit të teknologjisë në klasë



Iradete Abdullahi shkruan:
Teknologjia ka transformuar mënyrën e mësimdhënies dhe të nxënit por duke transformuar procesin, ajo po transformon dhe rezultatin (Fouts, 2000).
Në vitet e fundit, kur aplikimet e teknologjisë të tilla si video projektor, smart board, kompjuterë, software, internet, tableta, mobile etj, janë futur në sistemin e arsimit, burimet për mësimdhënie kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Metodistët mendojnë se ka shumë avantazhe të përdorimit të teknologjisë në klasë si për shembull: ajo e bën nxënësin më të interesuar për temën mësimore, zvogëlon kohën e të mësuarit si dhe ofron mundësi për të mësuar në mënyrë   jotradicionale.
Pajisjet kompjuterike janë veçanërisht të dobishme për nxënësit e ciklit fillor gjatë shkrimit të detyrave duke stimuluar kështu aftësinë e të shkruarit (kompetencën gjuhësore), por kjo ndodh atëherë kur pajisja që përdoret ndërtohet nga një tastierë e plotë shkrimi. Përdorimi i pajisjeve kompjuterike mbështet metodat e të nxënit për nxënës me aftësi të ndryshme për të nxënë, kështu përdorimi i tyre ndihmon nxënësit me aftësi të ndryshme konceptuale si dhe nxënësit me nevoja të veçanta në përthithjen më të shpejtë të koncepteve të reja gjatë një teme çfarëdo mësimi.
Po ashtu mësuesit dhe prindërit pranojnë faktin se për shkak të përdorimit të pajisjeve kompjuterike nxënësit dhe fëmijët e tyre e përdorin më me efikasitet kohën e tyre të punës.
Përdorimi i teknologjisë në klasë gjithashtu ka një efekt pozitiv në qëndrimet e nxënësve pasi ata ndjehen më të suksesshëm, më të motivuar për të mësuar dhe shfaqin më shumë vetëbesim.
Në kohën e sotme digjitale, aftësia për të aksesuar, përshtatur dhe për të krijuar aftësi e dije duke përdorur teknologjinë është kritike për suksesin e nxënësit. Të gjitha arsyet e lartpërmendura theksojnë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e përdorimit të teknologjisë gjatë procesit të mësimdhënies dhe të nxënit për të rritur efikasitetin e tij.

Teknologjia dhe qasja konstruktiviste
Duke përdorur së bashku teknologjinë dhe qasjen konstruktiviste mësuesi siguron integrim dhe shfrytëzim më të mirë të mjeteve të teknologjisë në klasë në mënyra të përshtatshme dhe efektive, duke i dhënë mësimdhënies / nxënies mjetin e nevojshëm për të përmirësuar metodat e mësimit të cilat kanë në fokus të tyre nxënësin.
Është e qartë se kompjuteri mund të përdoret si një mjet për të lehtësuar mësimdhënien dhe nxënien, megjithatë, po aq e qartë është që ai (makina) nuk mund të bëjë zgjedhjen e qasjes pedagogjike, se çfarë qasje duhet të përdoret gjatë orës së mësimit për arritjen e rezultateve të dëshiruara të të nxënit; mësuesit e vendos vetë.

Si duhet të përdoret teknologjia në procesin mësimor për të arritur rezultatet e dëshiruara
mësimore?
Teknologjia mund ta ndihmojë dhe e ndihmon nxënësin të zhvillojë të gjitha llojet e aftësive nga ato më të thjeshtat deri te ato më të ndërlikuarat. Megjithatë, që teknologjia të jetë e suksesshme, mësuesi duhet të bëjë zgjedhje të informuara në lidhje me qasjen pedagogjike, nevojat e nxënësit dhe rezultatet e të nxënit. Për mësuesin, sa e rëndësishme është të dijë se për çfarë do ta përdorë teknologjinë, po aq e rëndësishme është të dijë dhe mënyrën se si të nxënit mund të përmirësohet përmes teknologjisë.
Integrimi i teknologjisë në klasë nënkupton shumë gjëra për mësues të ndryshëm.
Teknologjia nuk të garanton mësimdhënie / nxënie të dobishme, madje përdorime të papërshtatshme të saj mund ta bëjnë të nxënit më të vështirë. Ky është rasti për shembull kur nxënësi shpenzon më të shumtën e kohës për selektimin e shkrimit dhe zgjedhjen e ngjyrave në detyrat e tij në vend që të planifikojë, të shkruajë dhe të rishikojë idetë e tij lidhur me detyrën e dhënë.
Megjithëse për integrimin e teknologjisë flitet shumë, pak mësues kanë një vizon apo filozofi të qartë për mënyrën e integrimit të saj në kurrikul me qëllim rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.
Mësuesi duhet të jenë sa kompetent në lidhje me dijet, aftësitë dhe qëndrimet që ai dëshiron t’u mësojë nxënësve, po aq sa dhe vëzhgues i aftë i mjedisit në të cilin nxënësit ndërtojnë dijet dhe ndërveprojnë me njëri tjetrin. Për këtë qëllim, filozofia e arsimit dhe qasja arsimore luajnë një rol të rëndësishme në kornizën teorike të integrimit të teknologjisë për përmirësimin e orës mësimore.
Filozofia e kurrikulës së re të arsimit bazë është bazuar në qasjen konstruktiviste. Kjo qasje përkufizon: të mësuarit ndodh kur personi ndërton së bashku mekanizmin për të mësuar dhe versionin e tij unik të dijeve, plotësuar këto me përvojat dhe aftësitë e tij personale (Roblyer, 2006).
Sipas kësaj qasjeje dija ndërtohet, nuk transmetohet ndaj nxënësi gjeneron dije të reja  nëpërmjet aktiviteteve, përvojave dhe eksperimenteve. Qasja konstruktiviste me fokus nxënësin në qendër, nxit përfshirjen e nxënësit në procesin e ndërtimit të dijeve dhe kërkon mënyra që mësuesi të jetë lehtësues në procesin mësimor dhe jo të diktojë informacionin. Kjo qasje dukshëm lidhet më mirë me integrimin e teknologjisë.

P.sh mësimi zbulues si një formë e qasjes konstruktiviste inkurajon angazhimin aktiv, nxit
motivimin, autonominë, përgjegjshmërinë dhe pavarësinë e nxënësit. Nxënësi udhëzohet nga mësuesi të bashkëveprojë dhe kryejë eksperimente për ta ndihmuar atë të ndërtojë dije dhe aftësi duke u nisur nga dijet dhe aftësitë paraprake.
Detyra e mësuesit është të bashkërendojë informacionin e duhur në një mënyrë të përshtatshme për të ndihmuar nxënësin ta kuptojë atë. Aktivitetet vizuale me programet kompjuterike mund të jenë komponentë thelbësorë për të ndihmuar nxënësin të shohë se si konceptet zbatohen në situata reale. Kjo i jep mundësi nxënësit për të eksploruar mjedise më komplekse.
Një shembull i përdorimit të teknologjisë janë simulimet nëpërmjet lojërave kompjuterike ku nxënësit luajnë rolin e vendimmarrësit në situata historike në mënyrë që të shikojnë rëndësinë e këtyre ngjarjeve në jetën e tyre të përditshme dhe të zhvillojnë më mirë aftësitë e të menduarit kritik dhe të zgjidhjes së problemit. Forma të tjera të përdorimit të teknologjisë janë dhe udhëtimet virtuale në kohë. Nxënësit mësojnë rreth kulturave të ndryshme duke parë fotografi, filma, videoklipe, prezantime në power-point dhe tekste të përzgjedhura. Nxënësit, gjatë navigimit nëpër udhëtimin virtual, u përgjigjen pyetjeve të mësuesit.
Duke përdorur teknologjinë në qasjen konstruktiviste mësuesit e kanë më të lehtë të përfshijnë nxënësit në aktivitetet mësimore. Ata mund të krijojnë aktivitete për nivele dhe stile të ndryshme të të nxënit si dhe mund të zgjerojnë gamën e informacioneve që janë në dispozicion të nxënësit.
Teknologjia është më shumë sesa një mënyrë tjetër / ndryshe e prezantimit të informacionit, ajo është sistemi nëpërmjet të cilit informacioni prezantohet. Teknologjia, si pjesë e teorisë konstruktiviste të mësimdhënies, është korniza e metodologjisë së mësimdhënies / nxënies e cila siguron aftësitë për të suportuar të gjitha format kryesore të kësaj teorie.

Comments